Financimi i partive në zgjedhje – Avokati i Popullit, letër KQZ-së: Transparencë për fondet
Një ndër çështjet që po merr një vëmendje çdo ditë e më shumë të organizmave ndërkombëtare, ashtu si dhe ato vendase, është burimi i financimit të partive politike.
Referuar kësaj çështjeje, Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka hartuar një paketë rekomandimesh mbi procesin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në vend.
Ai i është drejtuar me një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të bërë transparent procesin e burimit të financimit të partive politike në zgjedhje si dhe monitorimin e tyre.
Sipas kësaj letre Avokati i Popullit, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në nenin 9, pika 3 e saj vendos garanci të forta mbi ekzistencën e partive politike dhe mënyrën e financimit të tyre, duke parashikuar se burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre, bëhen kurdoherë publike.
Sipas Avokatit të Popullit, Kodi Zgjedhor vendos një tërësi kriteresh dhe normash për rregullimin e mbarëvajtjes së fushatës zgjedhore, ku një trajtim proporcionalisht të gjerë marrin çështjet financiare të veprimtarisë së partive politike.
Përvoja e derisotme, vlerësimet dhe opinionet për kuadrin ligjor, kanë reflektuar një seri problematikash që mund të grupohen në dy kategori të mëdha.
a)Monitorimin dhe mbikëqyrjen dhe auditimin financiar të partive politike nëpërmjet kontrollit të dokumentacionit financiar e të llogarive kontabël të partive politike;
- b) Përzgjedhjen e listës së ekspertëve kontabël të licencuar;
- c) Si dhe hartimin dhe miratimin e një sërë formatesh dhe aktesh nënligjore të parashikuara nga ligji në kuadër të kontrollit të financave të partive politike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive dhe fushatave zgjedhore, ka të drejtën gjithashtu në bazë të ligjit të vendosë sanksione kur konstaton shkelje të ligjit dhe përcakton masën e fondit publik që përfiton çdo parti politike në formën e ndihmës financiare vjetore.
Në opinionin e Avokatit, kontrolli dhe transparenca e financave të partive politike, do t’i jepte fund disa fenomeneve shumë të kritikuara në tërë proceset zgjedhore, si blerja dhe drejtimi i votës, fushatat zgjedhore shumë të kushtueshme, rastet e konfliktit të interesit dhe tendencat abuzive të donatorëve partiakë për përfitime prej fondeve publike, përdorimi i fondeve publike, etj.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.