Financimi i PPP-ve – BB: S’duhen paragjykuar, vendimi iu takon bankave
Edhe në raportin ekonomik të vjeshtës, Banka Botërore i vlerëson projektet e partneritetit publik privat si një nga rreziqet kryesore për objektivin e konsolidimit fiskal dhe për stabilitetin makroekonomik të vendit.
Drejtuesit e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë thanë të martën se qeveria shqiptare duhet të përmirësojë standardet e monitorimit të këtyre kontratave, por edhe transparencën rreth tyre.
E pyetur nga TV Scan, menaxherja vendore, Maryam Salim, shmangu komentet e drejtpërdrejta lidhur me kërkesën që kryetari i Partisë Demokratike iu drejtoi bankave tregtare për të mos kredituar projektet e PPP-ve. Ajo tha se iu takon bankave të vendosin nëse këto projekte janë me interes për to, duke vendosur në balancë përfitimet dhe rreziqet e mundshme.
Miratimi i dy projekteve të mëdha të PPP-ve, ato të rrugës Milot – Balldren dhe Orikum – Dukat, ka rindezur debatin rreth mënyrës sesi qeveria aktuale po i përdor këto instrumente. Opozita ka akuzuar se fatura e këtyre kontratave është fryrë për përfitime korruptive dhe klienteliste, madje se këto projekte do të përdoren për të pastruar para nga aktivitete të jashtëligjshme.
Banka Botërore është e treguar e kujdesshme në komentet rreth PPP-ve, pa i kundërshtuar hapur ato; por, ka lënë të kuptohet qartë se nuk është dakord me përdorimin masiv të këtyre instrumenteve, pa pasur kapacitete të mjaftueshme menaxhuese dhe monitoruese, si edhe pa standarde të mjaftueshme transparence.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.