Financimi i projekteve të reja – Çelet fondi për rikonstruksionin e 14 shkollave 9-vjeare
Rreth 14 shkolla 9 vjeçare të cilat janë në kushte të vështira për zhvillimin e procesit mësimor, pritet ti nënshtrohen rikonstruksionit.
Me kërkesë të Ministrisë së Arsimit Rinisë dhe Sportit, fondi për zhvillimin e rajonit ka çelur afatin e aplikimit, i dyti për vitin 2018, për të gjitha autoritetet kontraktuese të miratuara për shpërndarjen e financimit për projektet e reja.
Projektet të cilat do të financohen shtrihen në 14 bashki, ku në pjesën më të madhe ky fond do të përdoret për rikonstruksion të godinave ekzistuese por nuk përjashtohen dhe rastet për ndërtimin e shkollave siç është ndërtimi i shkollës 9 vjeçare “Jusuf Puka“ në qarkun e Durrësit.
Vlera totale e 14 shkollave është parashikuar në rreth 671 milion lekë, nga e cila 99.8 milion do të financohet nga Fondi i zhvillimit të Rajoneve me burim financimi buxhetin e projekteve të reja për vitin 2018, nga programet buxhetore “arsimi bazë”.
Po ashtu dhe bashkitë do të kontribuojnë duke financuar nga 10 deri në 30 % të projektit.
Ndërkohë që është vendosur 31 dhjetori si afati i fundit që Autoritetet kontraktuese për projektet duhet të kryejnë procedurat e prokurimit publik e të lidhjes së kontratës përkatëse për zbatimin e punimeve të ndërtimit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.