Firmat përgatiten për Brexit – Ulin investimet përpara Marsit 2019, rritet deficiti i llogarisë korrente
Kompanitë britanike kanë shkurtuar investimet në tremujorin e dytë të vitit dhe hendeku në bilancin e pagesave të vendit u rrit sipër pritshmërive, sipas të dhënave zyrtare.
Zyra e Statistikave në Londër konfirmoi vlerësimin fillestar për rritjen ekonomike të Britanisë, me një normë prej 0.4% në tremujorin e dytë. Megjithatë, uli normën e rritjes vjetore për periudhën në 1.2%, nga 1.3% që vlerësonte më parë.
Zyra e Statistikave uli gjithashtu normën e rritjes në tremujorin e parë të vitit, ku vendi u godit nga moti i pazakontë, në 0.1% nga 0.2%.
Rritja ekonomike për gjysmën e parë të vitit 2018, rezultoi në nivelin më të ulët që prej vitit 2011.
Edhe pse është përshpejtuar nga nisja e ngadaltë e vitit, rritja ekonomike qëndron poshtë mesatares afat-gjatë. Shifrat e rishikuara tregojnë se investimet e bizneseve ranë me 0.7% në tremujorin e dytë, krahasuar me të parin.
Paralelisht, hendeku i bilancit të pagesave në Britani u rrit, ndikuar nga deficiti tregtar.
Diferenca mes fluksit hyrës dhe fluksit dalës të parasë ishte negativ, në 20.3 miliardë paund në tremujorin e dytë, sipër 15.7 miliardë që ishte në të parin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.