Fitch për Greqinë – Rrit vlerësimin në “B-” nga “CCC”, citon rimëkëmbjen ekonomike
Agjencia Fitch rriti vlerësimin e Greqisë për aftësinë paguese në valutë të huaj në terma afat-gjatë në “B-” nga “CCC”, duke cituar reduktimin e rreziqeve politike dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike. Fitch pret tashmë që borxhi i përgjithshëm qeveritarë të përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme, mbështetur prej përfitimeve nga programi i Mekanizmit të Stabilitetit Europian.
Qeveritë e Eurozonës i ofruan Greqisë një tjetër linjë krediti prej 9.5 miliardë dollarë dhe hartuan detajet e reja mbi lehtësimin e mundshëm të borxhit. Rritja e vlerësimit nga Fitch vjen pas përditësimit edhe nga agjencia tjetër Moody’s, që rriti vlerësimin e emetimeve afat-gjata të Greqisë në Caa2, në muajin Qershor, duke nënvizuar se ekonomia e Greqisë pritet të rimëkëmbet.
Fitch ndërkohë, bëri të ditur se besimi te sektori bankar i Greqisë mbetet i brishtë, pavarësisht se po përmirësohet. “Një sfidë thelbësore për sektorin bankar është trajtimi i ekspozimeve ndaj aktiveve me probleme (NPE), që qëndrojnë në një nivel të lartë prej 45% të totalit të kredive”, nënvizoi Fitch.
Agjencia mbajti perspektivën pozitive për Greqinë dhe shtoi se rreziku i përmbysjes së politikave të adaptuara nga programi i Mekanizmit Europian të Stabilitetit, është i limituar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.