Fitch, “shuplakë” Italisë – Nuk ul notën, por perspektivën në negative
Agjencia e vlerësimit të kreditit, `Fitch` ka mbajtur të pandryshuar notën e vlerësimit të borxhit sovran të Italisë, në BBB. Por ka rishikuar në rënie perspektivën, nga e qëndrueshme, në negative, çka do të thotë se është pranë një zhvlerësimi të mundshëm në të ardhmen e afërt.
Sipas gjigandit të vlerësimeve, borxhi publik i Italisë do të vijojë të jetë në nivele shumë të larta, duke e lënë ekonominë të ekspozuar ndaj krizave të mundshme.
Ndër rreziqet e reja `Fitch` nënvizon edhe qeverinë e re me një natyrë të re si dhe diferencat e mëdha politike mes vet partnerëve të koalicionit qeverisës. Nuk është e qartë sesi këto tensione politike do të zgjidhen thotë `Fitch` në njoftimin për Italinë.
Që me betimin e qeverisë së re, por edhe përgjatë negociatave për krijimin e koalicionit `5 yjet-Liga`, agjencitë e vlerësimit filluan njëzëri të paralajmëronin për rrezikun që i kanoset financave kombëtare nga kjo lloj qeverie populiste.
Shumëkush i trembet faktit se, planet e qeverisë së re do të sjellin një ngadalësim të konsolidimit fiskal dhe një largim nga axhenda e reformave strukturore.
Një tjetër rrezik sipas `Fitch` është ai i qëndrimit të qeverisë italiane ndaj Bashkimit Europian dhe monedhës së përbashkët. Nga ana tjetër, agjencia amerikane e vlerësimit të kreditit thotë se, nuk pret që kjo qeveri të zgjasë përgjatë të gjithë mandatit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.