“Fitch” zhvlerëson Italinë – Borxhi zbret në BBB, faji i politikës dhe dobësisë ekonomike
Agjencia e vlerësimit të kreditit, Fitch, ka zhvlerësuar borxhin sovran të Italisë, duke nënvizuar se, rritja ekonomike mbetet anemike, disiplina fiskale po ashtu, sektori bankar ka probleme dhe se rreziqet që burojnë nga politika kërcënojnë ekonominë.
Agjencia prestigjioze ka zhvlerësuar kështu borxhin e Italisë nga BBB+ në BBB. Kjo lëvizje e agjencisë do të rrisë ndjeshëm kostot e huamarrjes së qeverisë italiane, që kanë qenë në rritje të vazhdueshme gjatë muajve të fundit.
Gjithsesi, perspektiva sipas Fitch mbetet e qëndrueshme, dhe në kushtet aktuale, vendi nuk rrezikon një zhvlerësim tjetër. Fitch e kishte vendosur ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës në monitorim që prej muajit tetor, duke paralajmëruar kështu zhvlerësimin e tanishëm.
Ky vendim është kryesisht rrjedhojë e atyre që ndodhën pas humbjes së Matteo Renzit në referendumin e ndryshimeve kushtetuese.
Renzi i hapi rrugën një qeverie të dobët në detyrë, siç e përshkruan vetë Fitch.
“Rritja e dobët ekonomike, si dhe dështimi në uljen e borxhit mjaft të lartë publik e ka bërë Italinë më vulnerabël ndaj goditjeve potenciale”, nënvizon agjencia.
“Kjo shoqërohet me rritje të rreziqeve politike dhe dobësi në sektorin bankar”, vijon më tej agjencia. Borxhi publik i Italisë ka prekur normën rekord të 133% në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.