Fitimet e bankave – 18.9 miliardë lekë për 10-mujorin
Sistemi bankar po e mbyll vitin 2017 me rezultate financiare në rritje. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, për 10-mujorin fitimi prek shifrën e 18.9 miliardë lekëve ose 140 milionë eurove.
Kjo shifër përfaqëson një rezultat në rritje me 127% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndonëse është me vend të kujtojmë se fitimet e mëdha ngelen të përqendruara në pak banka, në përgjithësi bilancet e sistemit paraqitet në përmirësim.
Faktori me ndikimin kryesor në këtë rezultat ka qenë ulja e shpenzimeve për fondin rezervë të kredive me probleme. Shpenzimet për provigjione për 9-mujorin e këtij viti kishin vlerën e 1.6 miliardë lekëve, në rënie me afro 90% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo tregon qartë se përmirësimi i cilësisë së kredisë ka pasur një ndikim të rëndësishëm në performancën financiare të bankave. Sektori bankar vazhdon gjithashtu të ruajë nivele të larta të kapitalizimit.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit është më i rëndësishmi në këndvështrimin e soliditetit financiar të bankave dhe mat raportin e kapitalit rregullator ndaj aktiveve me rrezik.
Në fund të muajit shtator, ky tregues ishte 16.4%, nga 12% që është pragu minimal i kërkuar nga Autoriteti Mbikëqyrës.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.