Fitimet e korporatave mbështesin bursat – Tregjet, të fokusuar te lufta në Ukrainë, intensifikohen sulmet në Donbas!
Tregjet europiane janë hapur në rritje në sesionin e sotëm, por investitorët janë të fokusuar te zhvillimet që kanë të bëjnë me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Lufta në Ukrainë vijon të zerë vëmendjen kryesore të investitorëve europianë, ndërkohë që ka hyrë në fazën e dytë të saj, pasi forcat ruse janë fokusuar në rajonin e Donbasit.
Rusia ka vendosur një ultimatum të ri për tu dorëzuar, në qytetit thuajse të shkatërruar të Mariupolit, ku forcat ukrainase dhe qindra civilë janë “ngujuar” në fabrikën e çelikut, Azovstal.
Njëkohësisht, zyrtarët në Ukrainë vazhdojnë të bëjnë thirrje për më shumë mbështetje me armë, në një kohë që bombardimet po intensifikohen në trajonin e Donbasit. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres i kërkoi presindetit rus, Vladimir Putin dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, të zhvillojnë takime me të, në kryeqytetet respektive.
Tregjet amerikane, ndërkohë, u mbyllën në rritje në sesionin e kaluar pasi Tesla dhe United Airlines publikuan fitime tremujore më të larta se parashikimet e analistëve. Në tregun e naftës, bençmarkët kryesorë po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, me Brentin e Londrës që po tregtohet në rreth 108 dollarë për fuçi.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.