Fitimi i bizneseve – Gjithsej 1.2 mld euro, ndërtimi më fitimprurësi
Norma mesatare e fitimit të biznesit në ekonominë shqiptare është 8.75%. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, përfitueshmëria për vitin 2016 ishte në nivele pothuajse të njëjta me vitin paraardhës.
Në vlerë absolute, fitimi total i ndërmarrjeve në ekonominë shqiptare ishte rreth 165 miliardë lekë, ose pak më shumë se 1.2 miliardë euro.
Të dhënat sektoriale japin gjithashtu një tablo të atyre që janë aktivitetet më fitimprurëse në ekonominë shqiptare. Sipas Instat, megjithë vështirësitë e pas krizës, ndërtimi ngelet ndër degët me normë mesatare fitimi më të lartë.
Për vitin 2016, norma e fitimit në sektorin e ndërtimi ishte sa 12.3% e vlerës së shitjeve vjetore neto. Dega e dytë më fitimprurëse është ajo e shërbimeve, ku norma mesatare e fitimit është 9.1%.
Sektori më pak fitimprurës rezulton ai prodhues, ku fitimi neto për vitin 2016 zinte më pak se 8% të vlerës totale të shitjeve. Ky rezultat u ndikua ndjeshëm nga momenti i vështirë e industrisë nxjerrëse, që e mbylli vitin 2016 me humbje.
Shifrat e Instat tregojnë që normat mesatare të fitimit të biznesit janë afërsisht në nivelet e vitit 2009, kur efektet e krizës ende nuk ishin ndjerë shumë në ekonominë shqiptare.
Pavarësisht se rritja ekonomia është ende e pamjaftueshme, bizneset kanë arritur pjesërisht të rikuperojnë përfitueshmëri në aktivitetin e tyre.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.