Fitimi i bankave arrin në 9.3 miliardë lekë për vitin 2016
Sistemi bankar shqiptar e mbylli vitin 2016 me një fitim neto prej 9.3 miliardë lekësh ose rreth 68 milionë eurosh. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, edhe tremujori i katërt i vitit rezultoi përgjithësisht pozitiv për performancën financiare të sektorit bankar.
Fitimi neto u rrit me rreth tre miliardë lekë gjatë tremujorit të fundit, megjithatë krahasuar me një vit më parë, ashtu siç pritej, viti 2016 solli një korrektim në rënie të fitimeve, me rreth 41% më pak. Arsyet kryesore kanë qenë rënia e normave të interesit, por edhe një rritje e provigjioneve për kreditë e këqija.
Të ardhurat neto nga interesi të sistemit bankar pësuan një rënie me afro dy miliardë lekë krahasuar me vitin 2015. Sidomos gjatë 9-mujorit të parë, rënia ishte shumë e theksuar në interesat e instrumenteve të borxhit të qeverisë, që përbëjnë rreth 30% të aktiveve të sistemit bankar.
Ndërkohë që, në vlera mesatare, rënia e interesave ka qenë e ndjeshme edhe në interesat e kredive. Përkeqësimi i portofolit të kredisë, sidomos në pjesën e parë të vitit 2016, solli një rritje të shpenzimeve për provigjione, që u rritën me tre herë e gjysmë krahasuar me vitin 2015.
Megjithatë, në tremujorin e fundit, bankat përshpejtuan procesin e pastrimit të kredive të humbura nga bilancet. Kjo e uli sërish raportin e kredive me probleme në 18.4%, nivel ky i ngjashëm më fundin e vitit 2015. Kreditë me probleme ngelen sidoqoftë një faktor me ndikim negativ në zgjerimin e kreditimit dhe të përfitueshmërisë së sistemit bankar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.