Fitimi i Bankës Qendrore të Zvicrës: “Goditet” nga humbjet e lidhura me këmbimin valutor
Fitimi neto i Bankës Qendrore në Zvicër ranë në 1.2 miliardë franga për gjysmën e parë të vitit 2017, për shkak të humbjeve të lidhura me këmbimin valutor. Këto humbje që arritën në rreth 11.8 miliardë franga, thuajse fshinë të gjithë të ardhurat nga obligacionet dhe aksionet që institucioni mban, duke ulur fitimet nga 21.3 miliardë franga që qëndronin 1 vit më parë.
Banka Kombëtare e Zvicrës, që ka për objektiv stabilitetin e çmimeve dhe jo fitimin, ka blerë valuta të huaja në vlera të mëdha, për shkak të presioneve te franga, që është kërkuar nga investitorët në periudhat e pasigurive ekonomike. Investimet në valutë të huaj të institucionit janë fryrë në 728 miliardë franga, një vlerë që është 12% më e madhe se e gjithë ekonomia zvicerane.
Franga ka pasur rënien më të madhe mujore në 6 vite kundër euros, megjthatë, ky zhvillim është minimizuar nga dobësia e dollarit amerikan, që redukton vlerën në franga të investimeve në dollarë amerikanë.
“Fitimet në këmbimi valutor për euron nuk kanë arritur të kompensojnë humbjet e regjistruara te investimet në valuta të tjera, veçanërisht në dollarin amerikan”, deklaroi banka ditën e Hënë. Analistët e UBS vlerësuan se çdo 1% rritje e frangës kundër dollarit amerikan, i kushton Bankës Kombëtare të Zvicrës rreth 2.5 miliardë franga.
Nga ana tjetër, banka fiton rreth 3 miliardë franga për çdo 1% zhvlerësim kundër euros. Analistët thonë se përmasa e madhe e bilancit e bën bankën të ndjeshme ndaj luhatjeve në valuta. Banka vlerësoi një rritje të fitimeve me 300 milionë franga nga zotërimet në ar dhe 970 milionë franga nga normat negative të interesit që i ngarkon bankave të nivelit të dytë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.