Fitimi vjetor i Renault rritet me 38%, zgjerohet në tregun europian
Prodhuesi francezi i makinave, Renault, ka publikuar një rritje të fitimit me 38% në 2016-ën, pasi ka zënë një pjesë shtesë të tregut europian me zgjerimin e tipeve SUV dhe me modelin e ri Megane.
Fitimi operacional, që heq kostot operacionale të të ardhurat nga shitjet por që nuk përfshin shpenzimet për interesa, taksa dhe amortizim, u rrit në 3.28 miliardë euro nga 2.38 miliardë që ishte një vit më parë, raporton kompania.
Shifra e tejkaloi mesataren e projeksioneve nga analistët për 3.05 miliardë fitim. Të ardhurat e Renault u rritën me 13% në 51.2 miliardë euro dhe aksionet e kompanisë patën performancën më të mirë në 7 muaj gjatë hapjes së sesionit Europian, duke prekur 84 euro për aksion.
Kreu i Financave (CFO) i kompanisë, Clotilde Delbos, tha se objektivat e caktuara janë arritur pavarësisht vështirësive në tregjet që kanë qenë dikur të fuqishme si Rusia dhe Brazili.
Pasi tejkaloi rivalin PSA Peugeot Citroen si prodhuesi i dytë më i madh në Europë pas Volkswagen, Renault përballet me sfida në mbajtjen e këtij vrulli në tregun e rajonit.
Kjo mund të bëjë që kompania të shtojë përpjekjet për të reduktuar varësinë nga Europa dhe të kthehet në Iran e të zgjerohet në Indi dhe Afrikë.
Në vitin 2016, Renault ka zgjeruar pjesën në tregun Europian në 10.1% ndërsa tërhoqi konsumatorët me modele SUV.
Dërgesat në të gjithë botën të kompanisë u rritën me 13% në vitin që kaloi.
Klevis Llaha/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.