Fituesit e skemës së granteve – 90 për qind kalojnë fazën e parë, nis plotësimi i dosjeve
Rreth 90 për qind e aplikuesve për përfitim grantesh nga skema kombëtare e financimit në bujqësi për vitin 2018, janë shpallur fitues në fazën e parë, dhe tashmë duhet të nisin plotësimin e dosjes për të avancuar me procesin. Dy nga kriteret kryesor e përfitimit, janë nipti dhe pronësia mbi tokën.
Gjatë një bashkëbisedimi të hapur me banorët e njësisë administrative Dvoran, qarku Korçë, në kuadër të takimeve turit të llogaridhënies publike, ministri Bujqësisë, Niko Peleshi, bëri me dije se 50% e fondit do të shkojë për subvencionet e fermerëve dhe blegtorëve dhe pjesa tjetër shkon në investimet në agropërpunim, magazinim, linja prodhimit.
Unë dua t’jua them të gjithë atyre që aplikuan në mollë psh, meqenëse këtu jemi në vendin e mollëve, kanë fituar të gjithë, 100%. Të gjithë ata që shkuan dhe aplikuan për mbjellje të reja për mollë, kanë fituar, pra janë shpallur fitues. Në total pothuajse 90 % e aplikantëve janë shpallur fitues dhe për masat e tjera, siç është vaditja me pika, apo investime të tjera në fermë, apo për matrikullimin, ata që kanë aplikuar për rimbursimin e qumështit, atë 100 lekëshin për litër të qumështit. Pra, numri i fituesve në raport me aplikantët është shumë i lartë këtë vit.”
Ministri Peleshi, sërish u ka bërë thirrje fermerëve dhe sipërmarrësve që të kenë më shumë besim në skemat dhe politikat që po ndërmerren, sepse vetëm kështu do të mund të rigjallërohet dhe të modernizohet bujqësia shqiptare.
Ndërsa bëri me dije se shumë shpejt do të hapet “thirrja e parë” për Programin IPARD, ku 94 milion euro do të jenë në dispozicion për të gjithë fermerët, agropërpunuesit, blegtorët etj.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.