Fjalimi i Merkel në Davos – “Izolimi dhe proteksionizmi nuk janë përgjigja e sfidave që përballet bota”
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, se izolimi dhe proteksionizmi, nuk janë zgjidhje për sfidat ekonomike që përballen sot vendet në të gjithë botën.
“Ne mendojmë se duhet të bashkëpunojmë dhe se proteksionizmi nuk është përgjigja e duhur. Në duhet të kërkojmë për zgjidhje shumëpalëshe. Prandaj është e rëndësishme që Gjermania të formojë shpejtë qeverinë e re, në mënyrë që të arrijmë këto objektiva”, tha Merkel.
Kancelarja tha gjithashtu se është e hapur mbi çfarëdolloj marrëdhënie që Bashkimi Europian do të zhvillojë me Britaninë pas Brexit, megjithatë shtoi se nuk do të ketë kompromise mbi parimet bazë të Bashkimit Europian në bisedime.
“Aksesi në tregun e përbashkët lidhet me lirinë e lëvizjes dhe ne nuk mund të bëjmë kompromis këtu. Por ne jemi të tejet të lidhur me Britaninë me vlerat tona, bindjet dhe interesat e politikave të jashtme”, tha kancelarja gjermane.
Politikanë, përfaqësues të bizneseve dhe bankierë, janë mbledhur në alpet zvicerane në takimin 4-ditorë. Një dekadë pas krizës financiare, ekonomia është rimëkëmbur dhe vlerat në tregjet e aksioneve kanë prekur nivele rekord të larta.
Megjithatë, ekziston një shqetësim në personat e mbledhur në Davos se perspektiva pozitive mbi ekonominë mund të përmbyset nëse disa rreziqe si proteksionizmi, ndryshimi klimatik dhe sulmet kibernetike marrin vrull në 2018-ën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.