Fluks ankesash për punëdhënësit – Mosrespektim i kontratave të punës dhe mosderdhje kontributesh
Gjatë vitit që lam pas, në Inspektoratin Shtetëror të Punës janë depozitar 834 ankesa/kërkesa, ose 14% më shumë së numri i ankesave të regjistruara gjatë vitit 2018 dhe 38 % më e lartë se ankesat e ardhura gjatë vitit 2017. Numri më i lartë i ankesave kryesisht të punonjësve, regjistrohet në Tiranë, Vlore dhe Durrës.
Sipas raportit vjetor të këtij institucioni, 40.3 % e ankesave, lidhen me cenimin e marrëdhënieve të punës, ku kryesisht kanë të bëjnë me mosrespektimin e kontratës së punës. Edhe pse vihet re një ndërgjegjësim, sa i takon formalizimit të këtij dokumenti, numri më i madh i bizneseve të mesme dhe të vogla, vijojnë të përdorin kontrata tip, duke mos-reflektuar specifika të vetë natyrës së aktivitetit që zhvillojnë, të cilat bëhen shkak për një konflikt mes palëve.
Një pjesë e mirë e ankesave ka të bëjë me mos derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punëmarrësit. Ndërkaq, 22.5 % i përkasin adresimit të kërkesave për informacion, interpretim apo sqarime në lidhje me çështje të ndryshme të punësimit.
Sipas Inspektoratit të Punës, 76 % e ankesave janë zgjidhur plotësisht apo pjesërisht në favor të ankuesve, për të gjithë elementët që rezultuan brenda kompetencës së inspektorit të punës për zgjidhje. Pjesa tjetër është deleguar rast pras rasti në Autoritet Përgjegjëse ose është sqaruar situata ligjore e ankuesit/denoncuesit.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.