“Fluturojnë” shpenzimet sociale – Pandemia rriti lindshmërinë, zgjidhet “qesja” për papunësinë e ndihmën ekonomike

Pandemia COVID-19 ka rritur ndjeshëm shpenzimet sociale, ku në 10-mujor rezultojnë afro 3.3 miliardë lekë apo 26.6 milionë euro më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po të bëjmë një analizë të të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, ky vit shënon dhe nivelin maksimal të shpenzimeve të bëra në këtë drejtim që nga vitit 2010.
Duket që pjesën më të madhe e kanë marrë pagesat e ndihmës ekonomike, ku janë shpenzuar 19.8 miliardë lekë si rrjedhojë e rritjes së mbështetjes për familjet në nevojë për shkak të vështirësisë që krijoi marrja e masave anti-COVID si dhe tërmeti I 26 Nëntorit. Po ashtu, pavarësisht se mijëra qytetarë të dalë si të papunë si pasojë e shkurtimit të stafit nga ana e bizneseve, përfituan pagë lufte nga paketat financiare 1 dhe 2, ka edhe nga ata që nuk janë rikthyer më në vendet e punës, por janë bërë pjesë e skemës së pagesës së papunësisë.
Kështu, shpenzimet për këtë zë janë thuajse dyfishuar gjatë periudhës Janar-Tetor 2020, krahasuar më 10-mujorin 2019, ku janë paguar rreth 712 milionë lekë për përfituesit. Ndërkaq, ajo që vihet re është se pavarësisht pandemisë dhe pasigurisë që prodhoi, gjatë kësaj periudhe është rritur ndjeshëm lindshmëria. Për bonusin e bebeve, janë paguar 2.3 miliardë lekë, nga 1.9 që shpenzuan në Janar-Tetor 2019, duke tejkaluar edhe planin për periudhën me 22.1 për qind.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.