FMN analizon “tatimet” – Rritje e ndjeshme, por optimizmi i qeverisë po i shkakton presion
Mbledhja e taksave dhe kontributeve shoqërore në Shqipëri është në gjallëri, çka reflekton edhe rritjen e fortë ekonomike, thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit për Shqipërinë, që analizon administratën e taksave në vend duke dhënë edhe rekomandime të posaçme.
“Ekonomia shqiptare është rimëkëmbur nga një pikë mjaft e ulët në 2013 dhe tashmë rritja ekonomike pritet t`i ketë kaluar 4% në 2018”, thotë më tej FMN.
Shifrat tregojnë se mbledhja e taksave dhe kontributeve shoqërore është rritur në mënyrë të qendrueshme gjatë viteve të fundit. Kjo tendencë ka vazhduar edhe përgjatë 2018-ës.
“Administrata tatimore ka mbledhur 54% të të gjitha taksave dhe kontributeve në 2017, me pjesën tjetër që i ka mbledhur administrata doganore.
Por, pavarësisht rritjes së të ardhurave në buxhet, ato kanë rezultuar vazhdimisht ne mosrealizim buxhetor, duke vendosur presion ndaj administratës tatimore, kryesisht në drejtim të rimbursimit të TVSH.
Gjatë 10 viteve të fundit, mesatarisht, mosrealizimi ka qenë në masën 1.5% të PBB. Kjo tendencë ka vazhduar edhe përgjatë viteve të fundit, kryesisht falë projeksioneve jo-realiste të qeverisë shqiptare.
Mosrealizimet më të mëdha rezultojnë në drejtim të TVSH, tatimit mbi të ardhurat personale si dhe taksën e qarkullimit dhe ato mbi karburantet“, nënvizon Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Institucioni ka qenë vazhdimisht skeptik me qeverinë shqiptare në këtë drejtim, duke vënë theksin vazhdimisht te mbledhja e taksave, pasi përbën një rrezik fiskal.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.