FMN apel Athinës, Lagarde: Ndërmerrni reformat që ju kërkuam
Greqisë nuk i duhet një shkurtim i borxhit aktualisht, deklaroi kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, e cila shtoi gjithashtu se, një ristrukturim i borxhit dhe ulje e normave të interesit është mese e nevojshme.
“Ne jemi shumë besimplotë pas progresit që ka bërë qeveria greke”, deklaroi Lagarde. Ndër të tjera, ajo shtoi se, Greqia duhet të implementojë reformën e pensioneve dhe atë të taksave ashtu siç i është kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si një kusht kyç për të marrë pjesë në planin e tretë të shpëtimit të vendit.
“Niveli i strukturimit të borxhit grek do të varet tërësisht nga progresi në reforma“, shtoi numri një i institucionit me bazë në Washington. Sipas saj, Greqisë nuk i duhet një shkurtim i borxhit në rast se do të ndërmarrë siç duhet reformat e kërkuara.
Diskutimet për një ristrukturim të borxhit të vendit ndërkohë do të fillojnë vetëm pasi të përfundojë plani i tretë i shpëtimit, në Gusht të vitit të ardhshëm.
Fondi Monetar Ndërkombëtar prej kohësh është në marrëdhënie të acaruar me Athinën zyrtare dhe me Brukselin. Me Athinën sepse i kërkon masa shtesë shtrënguese, praktikisht shkurtim të mëtejshëm të pensioneve dhe rritje të taksave.
Vetë Alexis Tsipras ka deklaruar se asnjë masë shtesë nuk do të ndërmerret, qoftë një euro e vetme, dhe se FMN kërkon gjëra jo racionale. Përplasja me Brukselin ndërkohë vjen për shkak të qëndrimeve të ndryshme në lidhje me borxhin grek.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.