FMN, “detyra shtëpie” për Shqipërinë- “Kujdes me tatimet, detyrimet e prapambetura dhe PPP”
Pas një vizite zyrtare dyjavore në Tiranë, misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka lënë disa “detyra shtëpie” për Shqipërinë, në mënyrë që ekonomia të ecë në shina pozitive. Referuar deklaratës së FMN, autoritetet duhet të përtërijnë programin e reformave, duke e nisur nga hapësira që duhet të krijojnë për shpenzimeve qeveritare që mbështesin rritjen. Sipas FMN kjo mund të bëhet duke hequr ndërlikimet dhe shtrembërimet e sistemit tatimor dhe duke përmirësuar administrimin e të ardhurave, duke mbajtur ndërkaq normat tatimore në nivele të moderuara. Për të vendosur një shembull pozitiv për përmbushjen tatimore, praktika e krijimit të detyrimeve të prapambetura në rimbursimin e TVSH-së duhet të ndalë”. FMN nënvizon se “ndër vite, sistemi tatimor është bërë gjithnjë e më i fragmentuar dhe kompleks, me shumë përjashtime e trajtime preferenciale. Kjo e ka ngushtuar bazën tatimore, sidomos për TVSH-në dhe ka krijuar dallime arbitrare në barrën e tatimit mbi të ardhurat, që dobësojnë përmbushjen. Një sistem më i thjeshtë e i barabartë tatimor mund të sjellë të ardhura më të larta duke ruajtur norma të moderuara tatimore. Më tej, Fondi Monetar Ndërkombëtar ndalet në zbatimin e planeve aktuale për përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike, që përfshijnë partneritetet publike-private, duke e vlerësuar si thelbësor për rritjen e cilësisë së tyre dhe zbutjen e risqeve fiskale në rritje. Ndërsa vijon të konsiderojë se Korporata Shqiptare e Investimeve (KShI) do të sjellë si rezultat risqe të reja fiskale.
Ndërkaq, lë si detyrë, uljen e vazhdueshme e defiçitit fiskal për ta mbajtur borxhin në trajektore rënëse, që sipas FMN, mund ta mbrojë vendin nga goditjet e ardhshme. Në fund, por jo për nga rëndësia, Fondi Monetar Ndërkombëtar, thekson se reforma në sektorin financiar duhet të vijojë për të nxitur rritjen e kreditimit, për të përshpejtuar përfshirjen financiare dhe ruajtur stabilitetin financiar.’
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.