FMN hedh poshtë zërat: Nuk kemi ndryshuar mendim për borxhin grek
Fondi Monetar Ndërkombëtar refuzoi të komentojë në lidhje me një raport të fundit të mediave, sipas të cilit, institucioni do të kontribuojë me 5 miliardë euro në planin e tretë të shpëtimit të Greqisë. FMN deklaron se pikëpamjet për borxhin grek kanë mbetur të pandryshuara.
Ditën e Premte, e përditshmja gjermane “Der Spiegel” shkruante se partnerët europianë presin që FMN të mjaftohet me vetëm 5 miliardë euro, nga 16 miliardë që shpresohej.
“Ne nuk do të komentojmë mbi spekulime. Pozitat e Fondit janë të njohura tashmë dhe nuk kanë ndryshuar”, deklaroi një zëdhënës i institucionit me bazë në Washington. Por gjithsesi, mbetet ende e paqartë nëse fondi do të përfshihet në planin e tretë të shpëtimit të Greqisë, i firmosur një vit e gjysmë më parë.
Kjo çështje mendohet se do të jetë edhe tema kryesore e diskutimit mes Angela Merkel dhe Christine Lagarde, gjatë takimit të së Mërkurës. Qeveria gjermane vazhdon të këmbëngulë që përfshirja e Fondit Monetar Ndërkombëtar në këtë plan është thelbësore.
Por, nga ana tjetër, palët, sidomos Berlini dhe Fondi, ndahen në këndvështrime krejt të kundërta sa i përket borxhit grek.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.