FMN i bën thirrje Francës: “Të prezantojë sa më shpejt detajet mbi uljen e shpenzimeve publike”
Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se Franca nuk duhet të humbasë kohë në prezantimin e detajeve për të frenuar shpenzimet publike, një element që ka rëndësi kritike në planet e Emmanuel Macron për të riorganizuar ekonominë. FMN do të shqyrtojë buxhetin e vitit 2018 të Qeverisë javën që vjen, që është i pari nën presidencën e Macron, për detaje mbi mënyrën se si do të ulen shpenzimet dhe taksat në të njëjtën kohë.
“Në mënyrë që strategjia të funksionojë, duhen reforma gjithëpërfshirëse në shpenzime për të gjithë nivelet e Qeverisë dhe kjo duhet bërë shpejtë”, deklaroi FMN.
Qeveria kë bërë të ditur se synon të ulë shpenzimet me 16 miliardë euro vitin që vjen, nën planin 5-vjeçar të Emmanuel Macron për një kursim prej 60 miliardë eurosh.
Megjithatë, Qeveria kërkon gjithashtu të lëvizë shpejtë me lehtësimin e barrës së madhe tatimore të Francës, duke nisur me reduktime të taksave në 10 miliardë euro, gjithashtu vitin që vjen.
Për të arritur një ekuilibër në buxhet, Qeveria po merr mbështetje nga rritja më e fortë ekonomike që prej vitit 2011, ndërkohë që FMN projekton se Produkti i Brendshëm Bruto do të rritet me 1.6% këtë vit dhe 1.8% në 2018-ën.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte më pak optimist mbi perspektivën e deficitit të sektorit publik, duke vlerësuar se do të qëndrojë në 3% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto për këtë vit edhe tjetrin. Qeveria, nga ana tjetër, pret që deficiti të bjerë këtë vit në 2.9% dhe 2.6% në 2018-ën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.