FMN nis “misionin” – Rrit projeksionet, por i kushtëzon me “shtrëngime”
Rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë këtij viti do të përshpejtohet në 3.7%, nënvizon Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit për Shqipërinë që vjen pas mbylljes së programit tre vjeçar.
Këto projeksione janë mbi ato të institucioneve të tjera ndërkombëtare, si Banka Botërore dhe Komisioni Europian, që flasin për një rritje në 3.5%, por edhe mbi projeksionet e fundit të vetë qeverisë shqiptare, që flasin për një normë po në 3.5%.
Kjo rritje ekonomike, vijon institucioni, merr shtysë nga investimet e huaja direkte, kryesisht në sektorin energjetik, si dhe nga kërkesa e fortë e brendshme. Për rrjedhojë edhe inflacioni do të ngjitet në 2.6%, projekton fondi.
Edhe në terma afat-mesëm, Fondi Monetar Ndërkombëtar është bindshëm më optimist për ekonominë shqiptare, pasi flet për një normë rritje mbi 4%.
Sa i përket rreziqeve, institucioni nënvizon dy. Së pari, zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, që mund të ngadalësojnë implementimin e reformave strukturore, e veçanërisht konsolidimin fiskal. Së dyti, dobësia e Eurozonës, që mund të ketë efekt edhe në vendin tonë, duke dëmtuar përpjekjet për uljen e borxhit publik.
Sa i përket të ardhurave, institucioni thekson se do të ketë progres në vitet në vazhdim, kryesisht falë implementimit të taksës mbi makinat e luksit dhe afrimit të akcizës së cigareve pranë standardeve europiane duke filluar prej 2018-ës.
Nga ana tjetër, në pjesën e shpenzimeve, FMN thekson: “Buxheti mundëson një rritje të moderuar të pagave dhe të pensioneve, duke e mbajtur faturën e pagave në raport me prodhimin e brendshëm bruto në të njëjtin nivel me 2016-ën, si dhe duke mbajtur të pandryshuar pagën minimale në sektorin publik“.
Kjo përfshihet në prioritetet e misionit të monitorimit, që do të ketë institucioni me përfundimin e programit tre vjeçar.
Konkurrueshmëria goditet nga mangësi strukturore, dhe në këtë drejtim duhen ndërmarrë reforma, vijon institucioni, duke theksuar se, këto reforma janë thelbësore për të përmirësuar klimën e biznesit.
Sa i përket sektorit bankar, Fondi vlerëson se, është i mirëkapitalizuar, madje përtej nivelit të kërkuar “Huadhënia në sektorin privat po rimëkëmbet, duke u zhvendosur nga Euro në monedhën vendase dhe nga koorporatat e mëdha drejt ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme“, nënvizon Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.