FMN: Pavarësi në vendimmarrje – “I bëjmë thirrje autoriteteve: Korporata e Investimeve, jo lidhje me qeverinë”
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dalë haptazi kundër Korporatës së Investimeve Shqiptare, ose më saktë kundër mënyrës se si mendohet se mund të funksionojë ky organizëm i ri, bazuar në draftin paraprak.
FMN i bën kështu thirrje fuqimisht qeverisë shqiptare që të rishikojë propozimet më të fundit që lidhen me këtë organizëm të ri, në mënyrë që të shmangë rreziqet ndaj buxhetit dhe cenimin e administrimit të investimeve publike. Sipas FMN, ky institucion i ri do të duhej të funksiononte si një organizëm i pavarur dhe jo si një shtojcë e Ministrisë së Financave.
Duke funksionuar si pjesë e qeverisë rreziqet që mund të burojnë janë të mëdha për disiplinën fiskale. Ky kuadër do të duhej të siguronte që Koorporata e Investimeve Shqiptare të ushtronte aktivitetin në baza komerciale dhe si një subjekt i palidhur me qeverinë, thotë FMN.
Ligji duhet të afirmojë pavarësinë e KISH në vendimet operative dhe përzgjedhjen e projekteve, si dhe të garantojë që të jetë objekt i ligjit për prokurimet publike, shton më tej FMN. Gjithsesi, ky ligj mbetet ende një draft dhe deri në miratimin nga Parlamenti mund të rishikohet disa herë, ashtu siç edhe premtoi edhe Ministrja Denaj.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.