FMN, raport për globin: Eurozonë-Kinë balancojnë SHBA-Britani
Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit të publikuar këtë të Hënë, ruajti të pandryshuara projeksionet për ekonominë globale gjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm, në 3.5% dhe 3.6% respektivisht.
Ndër të tjera, institucioni paralajmëroi për rreziqet që vijojnë të jenë ende të pranishme. Institucioni me bazë në Washington rishikoi në territor negativ projeksionet për ekonominë amerikane, si për këtë vit, ashtu edhe për vitin e ardhshëm.
Nga 2.3% që projektonte më parë, tashmë fondi pret që ekonomia amerikane të rritet me një hap prej 2.1% gjatë këtij viti. Edhe për vitin e ardhshëm projeksionet janë ulur në 2.1%, nga 2.5% që vlerësohej më parë. Ky zhvlerësim vjen kryesisht falë dobësisë së regjistruar në tremujorin e parë të vitit, por edhe si pasojë e planeve fiskale të Donald Trump.
Edhe për Mbretërinë e Bashkuar projeksionet janë shkurtuar ndjeshëm në vetëm 1.7% rritje. Performanca e dobët e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë do të balancohet nga rritja mbi pritshmëritë e Eurozonës dhe Kinës.
Për Eurozonën projeksionet janë rishikuar në rritje me 0.2 dhe 0.1 pikë përqindje gjatë këtyre dy viteve, në 1.9% dhe 1.7% respektivisht.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.