FMN rishikon Gjermaninë – Ul projeksionet për ekonominë prej proteksionizmit dhe Hard Brexit
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur projeksionet për rritjen ekonomike të Gjermanisë për 2018-ën në 2.2%, duke thënë se rritja e proteksionizmit dhe kërcënimi i një Brexit pa marrëveshje ka ekspozuar ekonominë më të madhe të Europës ndaj rreziqeve të mëdha në afat-shkurtër. Projeksioni i mëparshëm qëndronte në 2.5%.
Organizata në Washington ka rritur vlerësimin për vitin e ardhshëm në 2.1%, nga 2%. “Rreziqet në afat-shkurtër janë të mëdha, ndërkohë që rritja e proteksionizmit në botë, hard Brexit dhe rreziku sovran në Eurozonë kanë shtuar stresin financiar, që mund të ndikojë eksportet dhe investimet”, deklaron FMN.
Presidenti Donald Trump ka lajmëruar tarifa mbi një listë të madhe të importeve që kërcënojnë nisjen e një lufte tregtare, ndërsa Londra dhe Brukseli kanë ende mospërputhje mbi kushtet e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian. FMN mirëpriti planet e koalicionit të ri të kancelares Angela Merkel për të rritur investimet publike, por shtoi se Berlini mund të bëjë edhe më shumë.
Duke marrë parasysh shoqërinë në plakje të shpejtë të Gjermanisë, bordi i FMN rekomandoi rritje të mëtejshme të investimeve publike në infrastrukturë dhe edukim si dhe shtimin e incentivave për investimet private. “Masa të tilla do të përmirësojnë produktivitetin, rrisin outputin në afat-gjatë dhe reduktojnë sufiçitin gjigant të llogarisë korrente”, shtoi Fondi. Sufiçiti ra në 8% të ekonomisë vitin e kaluar, nga 8.5% që ishte në vitin 2016, megjithatë, pritet të rritet përsëri në 8.3% këtë vit sipas FMN.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.