FMN rishikon Italinë: Rritja ekonomike në 1.3%, reformat janë urgjencë
Ekonomia italiane do të rritet me një normë prej 1.3% gjatë këtij viti, nënvizon Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit për vendin, duke rritur ndjeshëm projeksionet.
Më parë, institucioni me bazë në Washington projektonte një normë rritje të ekonomisë së tretë më të madhe të Eurozonës në vetëm 0.8%. Përmirësimi i projeksioneve me 0.5 pikë vjen si pasojë e rimëkëmbjes më të gjerë të Eurozonës dhe si pasojë e politikave fiskale dhe monetare mbështetëse.
Por, fondi projekton një ngadalësim të hapit të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto të Italisë në vetëm 1% gjatë periudhës 2018-2020. Në raport vihet theksi te nevoja urgjente për të implementuar reforma të thella strukturore, dhe i bëhet apel qeverisë italiane që të mos humbasë më kohë.
“Prodhimi i dobët dhe investimet anemike janë sfidat kyçe të rritjes më të shpejtë, duke u kushtëzuar edhe nga dobësia strukturore, borxhi i lartë publik dhe problemet me bilancet e bankave”, thuhet në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Italinë.
Vendi ka normën më të lartë të borxhit publik në Eurozonë në raport me prodhimin kombëtar, pas Greqisë, në 132% të PBB, ose 350 miliardë euro.
Tashmë, projeksionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin aktual janë më të larta se ato të qeverisë së drejtuar nga Paolo Gentiloni.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.