FMN, “rreng” Greqisë – Aprovon $1.8 mld hua, por nuk do t`ia japë paratë
Fondi Monetar Ndërkombëtar aprovoi në princip marrëveshjen e huasë prej 1.8 miliardë dollarësh për Greqinë, duke u angazhuar minimalisht në programin e tretë të shpëtimit të vendit.
Por, nga ana tjetër, aprovimi në princip i kësaj marrëveshje huaje, do të thotë se, asnjë para nuk do të zhbllokohet për vendin deri në momentin që fondi do të marrë garanci të besueshme nga kreditorët europianë për qëndrueshmërinë e borxhit të vendit. Aprovimi varet gjithashtu edhe nga axhenda e reformave që do të ndjekë Athina zyrtare.
Programi i tretë i shpëtimit për Greqinë që prej vitit 2010 tashmë është një ekskluzivitet i vendeve europiane.
“Programi mundëson një hapësirë të mjaftueshme për një frymëmarrje të qetë dhe për mbështetje për reforma më të thella strukturore që Greqisë i duhen medoemos brenda Eurozonës, por edhe një kornizë për partnerët europianë në mënyrë që të vijojnë me lehtësimin e borxhit të vendit”, deklaroi Christine Lagarde në një deklaratë të posaçme.
Numri një i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka refuzuar vazhdimisht të bëhet pjesë e programit të tretë të shpëtimit pa aplikimin e masave për lehtësim të borxhit. Sipas Lagarde, qëndrueshëmria e borxhit grek është thelbësore në progresin ekonomik të vendit, dhe pa të, ndihmat financiare do të ishin të kota.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.