FMN “rrëzon” Bankën Botërore – “Ekonomia shqiptare do të përshpejtohet lehtë deri në 2024”
Fondi Monetar Ndërkombëtar është i vetmi institucion madhor që bën një parashikim për rritjen ekonomike të vendit tonë në horizontin afat-mesëm, pra edhe për vitin 2024.
Jo vetëm që është i vetmi institucion që e bën diçka të tillë, por jep edhe një lajm të mirë, duke projektuar një përshpejtim të ekonomisë në vitet në vijim, ndryshe nga institucionet e tjera ndërkombëtare, si Banka Botërore por edhe Komisioni Europian. Të dy këto institucione, por edhe të tjera si Moody`s, projektojnë që ekonomia e vendit tonë në vitet në vijim të ngadalësohet.
Vetëm pak ditë më parë, Banka Botërore arrinte në përfundimin se, ekonomia shqiptare do të ngadalësohet në vitet në vijim, ndërkohë që FMN thotë krejtësisht të kundërtën, paçka se hapat e zgjerimit duket të jenë jo edhe aq të kënaqshme.
Pavarësisht optimizmit të FMN në raport me institucionet e tjera ndërkombëtare, rritja e projektuar në jo më shumë se 4% deri në 2024, nuk është e mjaftueshme për t`u ndjerë në xhepat e qytetarëve, pasi do të duhej të ishte të paktën 5%, ashtu siç e pranon edhe vetë qeveria shqiptare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.