FMN “rrëzon” Trump – Ka humbur kontaktin me realitetin, premtime ekonomike utopike
Fondi Monetar Ndërkombëtar praktikisht ka ngelur në klasë “Trumponomics” duke i dhënë goditjen më të fortë premtimeve elektorale të Donald Trump.
Sipas institucionit që e ka bazën në Washington, rritja ekonomike prej më shumë se 3% që mbështetet fortë nga administrata e re amerikane, është jorealiste dhe tërësisht utopike.
Shtëpia e Bardhë, sipas fondit ka rritur ndjeshëm hendekun që e ndan me realitetin. Në raportin e fundit të institucionit projektohet një rritje e ekonomisë amerikane, prej 2.1% përgjatë këtij viti, çka përkthehet në një ulje të projeksioneve të mëparshme me 0.2 pikë përqindje.
Me të njëjtën normë do të zgjerohet ekonomia numër një në botë edhe vitin e ardhshëm, thotë FMN, duke ulur ndjeshëm vlerësimin nga projeksionet e mëparshme që flisnin për një normë në 2.5%.
Gjatë 5 viteve të ardhshme ndërkohë, rritja ekonomike e Shteteve të Bashkuara do të rrëshqasë në 1.7%.
Paradoksalisht, në themel të këtij rishikimi të ekonomisë amerikane, është pikërisht politika e Donald Trump, ose më saktë pasiguria e pazakontë e strategjive të tij.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.