FMN rrit projeksionet – Rritja ekonomike globale në 3.6%, rimëkëmbja e përhapur gjerësisht
Fondi Monetar Ndërkombëtar rriti projeksionet për ekonominë globale këtë vit edhe tjetrin, për shkak të një rimëkëmbjeje të përhapur gjerësisht në Europë, Kinë, Japoni dhe në Shtetet e Bashkuara.
Në përditësimin e fundit të raportit mbi perspektivën ekonomike globale, Fondi parashikon se ekonomia do të rritet me 3.6% në 2017-ën dhe 3.7% në vitin që vjen.
Të dy projeksionet janë 0.1 për qind sipër vlerësimeve të mëparshme dhe kalojnë normën e rritjes globale për 2016-ën prej 3.2%, që ishte edhe norma më e ulët që prej krizës financiare globale.
Sipas ekonomistëve të fondit me seli në Washington, rivlerësimet janë bërë prej performancës pozitive në ekonomitë kryesore.
“Shohim një rritje të shpejtë ciklike që po nxit ekonomitë kryesore përfshirë Europën, Kinën, Japoninë, Shtete e Bashkuara, si dhe Azinë në zhvillim”, deklarojnë zyrtarët e Fondit.
Për vendet në zhvillim, FMN projekton një normë të rritjes ekonomike prej 4.6% këtë vit dhe 4.9% në vitin 2018. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia kineze pritet të arrijë një normë të rritjes prej 6.8% këtë vit, që është 0.3% sipër objektivit zyrtar të qeverisë kineze dhe kalon normën e vitit 2016, që ishte më e ulëta në 26 vite.
Për vendet e zhvilluara, projektohet një rritje me 2.2% këtë vit dhe 2% në vitin 2018, duke rivlerësuar në rritje parashikimet e Korrikut. Sipas FMN, rimëkëmbja në Eurozonë pritet të rifitojë vrull këtë vit, duke arritur një normë prej 2.1% të rritjes ekonomike.
Fondi rishikoi edhe Japoninë në 1.5% këtë vit. Ndërsa rritja ekonomike globale në periudhë afatshkurtër mund të rritet më tej për shkak të kushteve të mira në tregje dhe besimit më të fortë të investitorëve.
Fondi paralajmëroi edhe për rreziqe, përfshirë inflacionin e ulët në ekonomitë e zhvilluara, rreziqet në lidhje me stabilitetin financiar në tregjet në zhvillim si dhe tensionet gjeopolitike dhe proteksioniste.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.