FMN: Rritja e pensioneve dhe e subvencioneve, rrezik për ekonominë
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashtruar kërkesën, ndërsa qeveria refuzon që të rritet mosha për pensionim. Ky është qëndrimi zyrtar pas raportit të djeshëm të FMN-së ku thuhet se duhet të ketë reforma në sistemin e pensioneve dhe se urgjentisht duhet të fillojë reduktimi i borxhit publik, i cili në vitet e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë për shkak të rritjes së pensioneve dhe subvencioneve të mëdha.
“I respektojmë rekomandimet e FMN-së dhe Bankës Botërore, por rekomandimet e tyre nuk janë që të shfuqizohet stazhi me përfitimet ose të rritet kufiri i moshës për pension. Në Maqedoni ka hapa të tjerë që duhet të ndërmerren dhe do të dalim me të kur do të kemi plan të detajuar. Që të stabilizohet fondin ne e respektojmë zgjidhjen ligjore për rritjen e pensioneve dhe harmonizimin e pensioneve, dhe jo Ad – Hoc apo rritje të pabazuara”, deklaroi Mila Carovska – Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Aktualisht Këshilli i Qeverisë harton një plan aksionar për stabilitet të fondit për sigurim pensionesh dhe mbrojtje sociale. Sa i përket borxhit publik, për të cilin nga FMN-ja thonë se nga 47 % të PBV-së që është tani, deri në 2020 mund të rritet në 53%, Ministria e Financave thonë se do të respektojë të gjitha rekomandimet, raporton ALSAT-M.
“Sa u përket rekomandimeve për konsolidimin fiskal, në bazë të gjendjes së konstatuar nga e kaluara dhe angazhimin për udhëheqjen e politikave të shëndetshme dhe të qëndrueshme makroekonomike në të ardhmen, qeveria tanimë ka ndërmarrë masa për konsolidimit fiskal gradual. Për këtë sigurisht shembulli më i mirë është projektbuxheti për vitin 2018, i cili parashikon reduktim të deficitit buxhetor nga 2.9% në 2.7% të PBV-së në vitin 2018.”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave.
FMN-ja këshilloi qeverinë të reduktojë papunësinë, e cila aktualisht është 23%, pagesë më efikase të tatimeve, ndërsa projekton rritje të ekonomisë së vendit për 1.9% këtë vit dhe 3.2% për vitin e ardhshëm.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.