FMN: Shqipëria mbi të tjerët! Për tre vite, ekonomia me rritjen më të shpejtë në rajon
Fondi Monetar Ndërkombëtar vijon të mbetet institucioni më optimist për ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti. Në raportin e fundit të projeksioneve të ekonomisë globale, institucioni ruan të pandryshuar parashikimin për rritjen ekonomike të vendit tonë, në 3.7%, po aq sa projektonte në raportin e fundit për Shqipërinë, në muajin Mars.
Veç kësaj, Fondi Monetar Ndërkombëtar, është institucioni i vetëm ndërkombëtar, ndër kryesoret të paktën, që parashikon se, ekonomia shqiptare do të jetë ajo me rritjen ekonomike të shpejtë në rajon përgjatë këtij viti, atij të ardhshëm, dhe madje edhe përgjatë 2019-ës. Institucioni me bazë në Uashington projekton se, ekonomia shqiptare do të rritet me 4.1% përgjatë vitit të ardhshëm dhe përgjatë vitit 2019.
Përgjatë tre viteve, sipas Fondit, Shqipëria do të jetë ekonomia me rritjen më të madhe në rajon, dhe bindshëm mbi mesataren, që fiksohet në 3%, 3.3% dhe 3.1% respektivisht për të treja vitet. Sa i përket normës së inflacionit, projeksionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar flasin për një normë në 2.2% përgjatë këtij viti, gjithashtu norma më e lartë në rajon.
Në projeksionet e fundit të Ekonomisë Globale, ato të muajit Tetor, Fondi Monetar fliste për një rritje ekonomike në 3.4% të Shqipërisë gjatë këtij viti, dhe 3.7% gjatë vitit 2018, ndërkohë që Shqipëria në asnjë vit nuk figuronte si ekonomia me rritjen më të shpejtë në rajon. Projeksionet e reja përmbysin tërësisht ato të vjetrat.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.