FMN: Shqipëria, rënie me 7.5% në 2020, por zgjerim prej 6.1% në vitin 2021
Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka rishikuar në ulje parashikimin për ekonominë shqiptare gjatë këtij viti. Në raportin e tetorit, mbi “Perspektivën e Ekonomisë Globale” FMN vlerëson se ekonomia shqiptare do të kontraktohet me 7.5% në 2020-ën, ndërsa në muaji prill parashikonte një rënie me 5%. Edhe për vitin e ardhshëm, shifrat janë rishikuar në rënie. Në raportin e muajit prill, Fondi Monetar parashikonte se ekonomia shqiptare do të zgjerohej ndjeshëm, me 8%, ndërsa në raportin e sapopublikuar parashikon një rritje prej 6.1%, në linjë edhe me vlerësimet e qeverisë shqiptare. Ndërkohë, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Mali i Zi ka marrë goditjen më të rëndë nga pandemia, pasi FMN parashikon një rënie prej 12% gjatë këtij viti dhe një zgjerim prej 5.5% vitin e ardhshëm. Kosova ka thuajse të njëjtat shifra me Shqipërinë; kontraktim me 7.5% gjatë këtij viti dhe rritje me 6% në vitin 2021. Serbia merr vlerësimet më të mirë, ndër vendet e rajonit. Për këtë vit, FMN parashikon se ky vend do të bjerë me vetëm 2.5% dhe do të zgjerohet me 5.5% vitin e ardhshëm. Megjithatë, institucioni me bazë në Uashington paralajmëron se rimëkëmbja do të jetë “e pasigurtë dhe e pabarabartë”, e ekspozuar ndaj një goditje tjetër. Për të gjithë ekonominë globale, FMN parashikon një rënie me 4.4% gjatë këtij viti, një shifër më e mirë se vlerësimi për një rënie prej 5.2% në muajin prill.
2020 2021
Mali i Zi -12% 5.5%
Shqipëria -7.5% 6.1%
Kosova -7.5% 6%
Bosnja -6.5% 5%
Maqedonia -5.4% 5.5%
Serbia -2.5% 5.5%
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.