FMN vlerëson qasjen rregullatore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare!
Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore janë duke zhvilluar Takimet e Pranverës në Washington, nga datat 18-24 Prill për të diskutuar çështje me rëndësi globale, përfshirë perspektivën ekonomike botërore, zhdukjen e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe efektivitetin e asistencës së ofruar.
Sipas informacionit të publikuar në sesionin me titull “Paraja Digjitale – Zhvillimi i Kapaciteteve për Ndërtimin e një Cikli Virtuoz”, ekspertët e FMN-së u ndalën tek rasti i Shqipërisë, si një nga vendet që ka miratuar një kuadër ligjor për asetet virtuale dhe ka qenë përfitues i asistencës teknike të FMN-së në këtë fushë. AMF bën me dije se gjatë takimit u vlerësua qasja rregullatore dhe përgatitja e stafit përgjatë kohëzgjatjes së projektit të asistencës.
“Vitin e kaluar kemi ndërmarrë një mision të asistencës teknike për zhvillimin e kapaciteteve në Shqipëri me fokus zbatimin efektiv të kuadrit ligjor në lidhje me kripto-asetet. Rrjedhimisht, kemi bashkëpunuar ngushtësisht me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, si përfitues kryesor, i cili duhet thënë se ka një staf të mirë përgatitur. Ekspertiza e FMN-së u fokusua në sfidat kryesore potenciale dhe implikimet në praktikë që mund të sjellë zbatimi i Ligjit 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, me fokus të veçantë procesin e licencimit dhe disa aspekte të mbikëqyrjes financiare ”, shkruhej në njoftim.
Sipas njoftimit në përfundim, misioni i ekspertëve të FMN-së vërejti se aktivitetet e lidhura me kripto-asetet në Shqipëri janë relativisht të ulëta në dukje, ndërkohë që miratimi i një kuadri ligjor mund të ndihmojë në legjitimimin e këtyre veprimtarive.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.