Fonde për kulturën – Qeveria i shton buxhetin me mbi 52 milion lekë
Mbi 52 milion lekë është fondi që do ti shtohet buxhetit të Ministrisë së Kulturës e cila këtë vit është renditur e fundit përsa i përket peshës ndaj totalit të shpenzimeve të ministrive.
Por me shpalljen e vitit 2018 nga qeveria si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut” priten një sërë aktivitetesh, shpenzimet e të cilave duhet të përballohen nga kjo ministri, për këtë arsye këshilli i ministrave ka vendosur ti shtoj buxhetit të ministrisë së kulturës dhe 52 milion e 200 mijë lekë duke çuar në total buxhetin e saj për këtë vit në 2 mld e 52 milion lekë .
Kjo shtesë në buxhet do të ndahet në programin buxhetor “Trashëgimia kulturore dhe muzetë” ku zëri i shpenzimeve korrente është llogaritur në shumën e 14 200 mijë lekë si edhe në programin buxhetor “Art&kultura” ku fondi për këtë program është 38 milion lekë.
Aktualisht buxheti që i është caktuar ministrisë së kulturës për vitin 2018 është 2 miliard lekë apo 0.7% e totalit .
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.