Fondet e BE, BB dhe donatorëve të tjerë – Qeveria krijon drejtori të posaçme, do të financohet nga buxheti i shtetit
Pas Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit, Ministri i Financave dhe Ekonomisë do të ketë në varësi edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve për Fondet e BE-së, BB-së dhe donatorëve të tjerë.
Referuar vendimit të sotëm të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, detyra kryesore e kësaj drejtorie konsiston në kryerjen e procedurave të prokurimit dhe kontraktimit të projekteve të miratuara sipas marrëveshjes financiare me Komisionin Europian, Bankën Botërore si dhe donatorët e tjerë.
Institucioni do të financohet nga buxheti i shtetit dhe do të ketë stemën, logon si dhe vulën e tij zyrtare. Po ashtu, një tjetër funksion i kësaj drejtorie është gjithashtu edhe ofrimi i trajnimeve të vazhdueshme për institucionet përfituese lidhur me proceset e prokurimit dhe monitorimit të zbatimit të kontratave të projekteve.
Përgjegjësi të tjera të këtij institucioni të ri përfshijnë:
- Mbikëqyrjen e zbatimit të kontratave të nënshkruara në kuadër të projekteve të miratuara sipas marrëveshjeve financiare me Komisionin Evropian, Bankën Botërore dhe donatorë të tjerë;
- Menaxhimin financiar, regjistrimin e transaksioneve në sistemin e kontabilitetit si dhe kryerjen e pagesave për kontratat e lidhura për projektet e miratuara sipas marrëveshjeve financiare me Komisionin Evropian, Bankën Botërore dhe donatorë të tjerë;
- Realizimin e kontrollit dhe të certifikimit të shpenzimeve të kryera nga partnerët shqiptarë gjatë zbatimit të projekteve të bashkëpunimit rajonal dhe ndërterritorial, sipas përcaktimeve në marrëveshjet e financimit;
Një muaj pas hyrjes në fuqi të vendimit, ministri Ahmetaj duhet të përgatisë dhe të propozojë strukturën dhe organikën e drejtorisë.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.