Fondet e bujqësisë për vitin 2018 – Miratohet kriteret për përfitimin e fermerëve. Detajet e plota
Këshilli i Ministrave ka miratuar kriteret për të përfituar nga fondi prej 35 milionë lekësh për mbështetjen e prodhimit bujqësor e blegtoral, peshkimit, agropërpunimit dhe zhvillimit rural.
Fondi do të jetë i fokusuar në disa aspekte kyçe si shtimi i pemëve frutore apo serrave. Për investimet më të mëdha, qeveria do të ofrojë edhe një kompensim më të madh, ndërsa mbështetje të veçantë do të marrin edhe fermerët e rinj.
Fermerët që kultivojnë të paktën 5 ha tokë bujqësore, në pronësi private ose me qira, do të subvencionohen në vlerën 25 mijë lekë për grurin dhe elbin, si dhe deri në 20 mijë lekë për thekrën, tërshërën dhe koçkullën.
Fondet do të jenë të disponueshme edhe për zhvillimin e teknologjive të kultivimit, në mënyrë që bujqësia shqiptare të ketë mundësi të modernizohet dhe të sjellë inovacione.
Për të rritur konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare dhe standardet e, qeveria do të nxisë edhe certifikimin dhe mbrojtjen e një sërë prodhimesh. Gjithashtu do të ketë masa nxitëse për përmirësimin e zinxhirit të sigurisë ushqimore për produktet blegtorale.
Mbarështimi i bletarisë do të mbështetet me një vlerë prej 1 mijë lekësh për koshere për fermat me mbi 100 koshere, për një mbështetje jo më të madhe se 150 mijë lekë.
Edhe pronarët e anijeve të peshkimit do të përfitojnë deri në 85 mijë lekë mbështetje për njësi për sistemet e monitorimit për pajisjet MTU. Gjithashtu do të ketë një mbështetje deri në 70% të vlerës për instalimin e bankinave lundruese. Një nxitje e veçantë do të shkojë për peshkimin e açugeve dhe sardeleve, deri në masën 20 lekë për kilogramë.
Pjesë e programit të mbështetjes me fonde të Ministrisë së Bujqësisë është edhe promovimi i produkteve vendase dhe nxitja e agroturizmit, në linjë me strategjinë për Zhvillimin Rural.
A.H./SCAN
Më poshtë mund të lexoni më shumë detaje në lidhje me pikat e veçanta të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore
Një pjesë e madhe e fondit do të shkojë për financimin e mbjelljeve me kulturat e përcaktuara që janë: mollë, qershi, arra, lajthi dhe shegë, gështenjtë, ullinjë me fidanë autoktonë, agrume, vreshta, luleshtrydhe, si dhe bimë mjekësore dhe aromatike. Për këto kultura shteti ka përcaktuar vlerën e financimit nga 200 mijë lekë deri në 350 mijë lekë për hektarë.
Gjithashtu, fondi përfshin edhe financimin në vlerën 60 mijë lekë për hektarë për plotësimin e numrit të bimëve në ullushtet e vjetra apo të degraduara.
Sipërfaqja e mbjellë duhet të jetë jo më e madhe se 20 hektarë, ndërsa sipas kategorive kërkohet edhe një sipërfaqe minimale e mbjellë. Për sipërfaqet deri në 5 hektarë, masa e financimit do të jetë deri në 100% të vlerës për hektar. Kjo masë financimi rritet me 25% të vlerës mbi 5 hektarë, si edhe me 50% për sipërfaqet e mbjella mbi 10 hektarë.
Fermerët në moshë të re, nga 22 deri në 35 vjeç, përfitojnë një rritje të financimit me 25%.
Kusht për të aplikuar është pasja e tokës në pronësi private edhe në rastin kur toka është me qira.
Për ndërtimin e serrave diellore për kultivimin e domates, kastravecit dhe specit nga 0,2 deri në 1 ha
Masa e përfitimit do të jetë sa 50% e vlerës totale për financimit dhe do të rritet me 25% të vlerës për serrat mbi 0.51 hektarë.
Për përmirësimin e teknologjive të kultivimit dhe inovacione
Financimi do të jetë deri në 50% të vlerës totale të faturave tatimore për proceset që përmirësojnë teknologjitë e kultivimit apo sjellin inovacione.
Këto përfshijnë: përmirësimin e teknikave të ujitjes, instalimet e sistemit të ngrohjes me biomasë, zëvendësimin e plastmasës termike, prodhimin e bosnatorëve në tunele, rrjetat për mbrojtjen e pordhimit nga breshëri, polenizimi i kulturave perimore me bletë polenizuese, si dhe projektet për sistemet e automatizimit të kontrollit në serra, eficencën e energjisë ose instalimin e sensorëve të kontrollit të klimës në serra.
Agroturizmi dhe zhvillimi i zonave rurale – Ja si do të shpërndahen fondet dhe si mund të përfitoni
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.