Fondet e investimit – Rregullore e re për likuiditetin
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi muajin e kaluar rregulloren e re për administrimin e likuiditetit nga fondet e investimit. Rregullorja synon që këto fonde të kenë instrumente të mjaftueshme likuide për t’iu përgjigjur në çdo kohë tërheqjeve nga anëtarët e fondit.
Sipas rregullores së miratuar, fondet e investimit duhet të mbajnë në çdo kohë asete likuide të cilësisë së lartë në vlerën e 10% të aseteve neto totale.
Si asete neto të cilësisë së lartë klasifikohen depozitat bankare pa afat ose me maturim afatshkurtër, bonot ose obligacionet e qeverisë shqiptare me maturim të mbetur deri në një muaj dhe marrëveshjet e anasjellta të riblerjes me Bankën Qendrore, me maturim deri në 14 ditë.
Gjithashtu, asete likuide të cilësisë së lartë do të cilësohen instrumentet e transferueshme të lëshuara ose të garantuara nga bankat e zhvillimit.
Për sa i takon titujve të lëshuara nga institucione financiare private, si edhe obligacionet e korporatave, rregullorja e AMF-së parashikon një nivel të caktuar të rating-ut, brenda të cilit instrumentet mund të klasifikohen si asete likuide të cilësisë së lartë.
Sipas rregullores, fondet duhet të kryejnë në mënyrë periodike prova rezistence, për të vlerësuar aftësinë e fondit për t’iu përgjigjur një situate të nevojës së lartë për likuiditet. Sipas AMF, në fund të vitit të kaluar, asetet neto të fondeve kishin vlerën e 72 miliardë lekëve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.