Fondet e investimit – Tregu në rënie për tremujorin e parë
Tregu i fondeve të investimit pësoi një frenim gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, totali i aktiveve në fund të vitit zbriti në rreth 69 miliardë lekë, rreth 5% më pak krahasuar me fundin e vitit 2017.
Gjatë tremujorit të parë ka pasur një rënie të numrit të anëtarëve, të shoqëruar me tërheqjen e kuotave të tyre, çka ka e ka tkurrur vlerën e aseteve nën administrimin e fondeve.
Në fund të muajit mars, numri i individëve të anëtarësuar në fondet e investimit ishte pothuajse 30 mijë, në rënie me 4.5% krahasuar me një vit më parë. Rënia e tregut erdhi pjesërisht edhe si efekt i kursit të këmbimit valutor.
Një pjesë e aseteve të fondeve të investimit, konkretisht ato të njërit prej fondeve Raiffeisen, janë në euro.
Forcimi i lekut në tremujorin e parë ka bërë që vlera e investimeve, e shprehur në monedhën vendase, të bjerë.
Investimet e fondeve në lekë konsistojnë kryesisht në letra borxhi të qeverisë shqiptare, ndërsa ato në euro kanë një strukturë më të diversifikuar, duke përfshirë edhe tituj të kompanive private.
Në vitet e fundit, ritmet e rritjes të fondeve të investimit janë ngadalësuar dhe kjo lidhet, pjesërisht, edhe me forcimin e kuadrit mbikëqyrës për këto institucione nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Në tremujorin e parë, në treg u shtua edhe një fond i ri investimesh, WVP Top Invest, duke e çuar gjithsej në katër numrin e fondeve aktive, së bashku me Raiffeisen Prestigj, Raiffeisen Invest dhe Credins Premium.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.