Fondet e ulëta për bujqësinë – Panariti: Më shumë mbështetje për sektorin
Fondet e dhëna nga qeveria për bujqësinë, janë shumë të ulëta, krahasuar me nevojat apo me mbështetjen që i japin këtij sektori vendet fqinje, si Kosova apo Maqedonia.
Gjatë një vizite në një fabrikë të përpunimit të qumështit në Nixhavec të Pogradecit, Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti theksoi se duhen më shumë fonde për këtë sektor dhe lehtësim i barrës fiskale për fermerët, në mënyrë që të inkurajohen të rinjtë, që të mos shohin si zgjidhje emigrimin, por të kthejnë sytë nga bujqësia dhe blegtoria.
“Kërkohet shumë më tepër mbështetje për bujqësinë, kërkohet edhe lehtësim fiskal. Bujqësia është ende shumë e ngarkuar me barrë fiskale, sigurisht edhe një kontroll dhe hetim tatimor. Në rast se në pikat e pakicës kemi çmime disproporcionale në krahasim me atë çmim që aplikohet me shumicë, këtu ka diçka që nuk shkon edhe në kuptimin e regjimit fiskal, apo evazion fiskal. Pra, bujqësia duhet të mbështetet me instrumenta fiskale. Kjo është një prioritet, në mënyrë që të inkurajohen, që të aplikojnë çmime të favorshme blerëse për prodhuesit. T’i hiqet bujqësisë barra fiskale. Kjo është një nga prioritetet edhe të programit tonë të ardhshëm. Unë kam aplikuar devizën “bujqësia tax-free”, për pesë vitet e ardhshme. Moratoriumin fiskal që aplikuam për pyjet ta aplikojmë për bujqësinë në mënyrë që të marrin frymë, të konsolidohen, të shesin në mënyrë më të favorshme produktet e tyre”.
Për t’i ardhur në ndihmë fabrikave përpunuese vendase, ministri Panariti u shpreh se do të ketë politika të tjera kontrolluese.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.