Fondet për Emergjencat Civile – Zbardhet buxheti për 2018, fondi financiar 2.8 milionë dollarë
Për përballimin e emergjencave civile në vitin 2018 Këshilli i Ministrave ka parashikuar një fond prej 479 milionë lekësh, afërisht 4.5 milionë dollarë. 1.8 milionë dollarë prej këtij fondi përbëhet nga zëri shpenzime kapitale, ndërkohë që në funksion të përballimit financiar të situatave të emergjencës është parashikuar pjesa tjetër prej afro 2.8 milionë dollarësh.
Për herë të parë, Fondi i Emergjencave Civile i akordohet Ministrisë së Mbrojtjes, e cila nga 1 janari do të jetë institucioni përgjegjës për përballimin e tyre.
Fondi prej 2.8 milionë dollarësh duket i ulët duke iu referuar dëmeve thuajse të përvitshme të shkaktuara nga përmbytjet. Ndërsa nuk kemi ende një faturë financiare për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në vend më 31 nëntor dhe ditët e para dhjetorit, duket se buxheti i shtetit do ketë kosto të rënda nga bizneset e dëmtuara në Autostradën Tiranë Durrës.
Në këtë segment janë vendosur disa prej bizneseve më të mëdha në vend, të cilët kanë raportuar dëme të konsiderueshme. SCAN ka mësuar se vetëm pak ditë pas përmbytjes, të paktën tre prej këtyre bizneseve kanë nxituar të sigurojnë në gjykatë provat e dëmeve të pësuara, për të mos lënë në dorë të institucioneve qeveritare përcaktimin e vlerës së dëmshpërblimit.
L.R./SCAN
Përmbytjet nga reshjet intensive, 5 shtete të BE ofruan ndihmë – Në 15 vjet Shqipëria aktivizoi 250 herë mekanizmin e mbrojtjes civile
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.