Fondi i kushtëzuar i ndihmës ekonomike – Këshilli Bashkiak miraton kriteret për familjet në nevojë
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar kriteret, mbi bazën e të cilëve do të përdoret fondi i kushtëzuar mbi programin e bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind.
Përfituese të këtij vendimi do të jenë, familjet në nevojë, të cilat do të përzgjidhen nga lista e familjeve që kanë aplikuar brenda tre muajve të fundit nëpërmjet regjistrit elektronik për ndihmën ekonomike dhe nuk janë shpallur fituese nga sistemi i pikëzimit.
Numri total i përfituesve, do të jetë i barabartë për çdo njësi administrative. Ndërkohë që, nëse njësia administrative nuk plotëson numrin e familjeve në nevojë, struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në Bashki do të vlerësojë familjet më në nevojë nga njësitë e tjera.
Për përzgjedhjen e fituesve do të përdoret edhe një sistem pikëzimi, ku përfshihet rajoni, i cili i referohet vendbanimit në zona rurale apo urbane. Prioritet do i jepet familjeve në zonat rurale, duke qenë se punësimi është më i ulët.
Pjesë e sistemit të pikëzimit do të jenë edhe karakteristikat e dosjes së aplikantit, duke i dhënë prioritet kryefamiljareve të divorcuara me shumë fëmijë, kryefamiljareve të veja, pa punë, grave mbi 55 vjeç, burrave mbi 60 vjeç që jetojnë vetëm apo familjeve me fëmijë të vegjël.
Ndërsa pjesa e tretë e sistemit të pikëzimit i referohet historikut të dosjes, që lidhet me dokumentacionin dhe arsyet e refuzimit nga sistemi kombëtar i pikëzimit.
Të interesuarit duhet të dorëzojnë një sërë dokumentesh pranë njësisë së qeverisjes vendore ku jetojnë, e cila do të përpunojë listën e përfituesve të mundshëm, duke vlerësuar dosjet për t’u trajtuar me këto fonde. Në rast se familjet në nevojë dalin me pikë të barabarta përzgjedhja do të bëhet nga specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Sociale, të cilët do të vlerësojnë situatën social- ekonomike në terren të familjeve.
Vendimi i Këshillit Bashkiak do të hyjë në fuqi 10 ditë pas shpalljes.
Sistemi i pikëzimit për përzgjedhjen e familjeve përfituese
Rajoni
Zonat rurale (20 pikë)
Zonat urbane (10 pikë)
Karakteristikat e dosje
Gratë kryefamiljare të divorcuara me fëmijë në ngarkim ( 10 pikë)
Gratë kryefamiljare të veja pa punë (5 pikë)
Gratë mbi 55 vjeç që janë në certifikatë të veja të pa puna (10 pikë)
Burrat mbi 60 vjeç që janë në certifikatë më vete pa punë (10 pikë)
Familjet mbi 6 anëtarë që i kanë fëmijët e vegjël nën 16 vjeç (10 pikë)
Karakteristikat e dosjes
Dosja e plotë (10 pikë)
Arsyet e refuzimit nga sistemi kombëtar i pikëzimit. (10 pikë)
Arsyet e refuzimit nga hedhja e të dhënave të administratori social (5 pikë)
Dokumentacioni
Vlerësim Social Ekonomik
Kërkesë me shkrim
Fletë përmbledhje e daljes nga sistemi pikëzimit
Vërtetim KMCAP
Fotokopje e certifikatës familjare
Fotokopje e kartës së identitetit
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.