Fondi i rimëkëmbjes nga pandemia në BE. Gjykata gjermane hedh poshtë sfidat ligjore, hap dritën e gjelbër
Gjykata kushtetuese e Gjermanisë vendosi të hedhë poshtë sfidat ligjore kundër planit të rimëkëmbjes së BE, duke i dhënë dritën e gjelbër stimujve të jashtëzakonshëm për t’u shpërndarë në rajon. Gjykata më e lartë në Gjermani kishte ngritur pyetje mbi planin për të gjeneruar 750 miliardë euro në tregjet financiarë për të financuar projekte në të gjithë bllokun, duke zbutur goditjen nga pandemia. Kjo solli sfida për stimujt e nevojshëm dhe erdhi pas shqetësimeve të disa euroskeptikëve mbi huamarrjen shtesë.
“Do të aplikohen limite ndaj volumit, kohëzgjatjes dhe qëllimit të huamarrjes së autorizuar nga Komisioni Europian, si dhe në lidhje me detyrime të mundshme për Gjermaninë”- deklaroi gjykata. “Për më tepër, fondet do të përdoren në mënyrë ekskluzive për të trajtuar dëmet nga kriza e Covid-19”- shtoi në deklaratë. Vendimi i gjykatës lejon Gjermaninë që të përfundojë hapat e nevojshëm ligjorë, përpara se të nisë disbursimi më vonë gjatë vitit.
Deri në javën e kaluar, një total prej 10 vendesh, përfshirë Austrinë, Hungarinë, Hollandën, Poloninë dhe Rumaninë nuk kishin përfunduar procedurat kombëtare përpara se komisioni të mund të hyjë në tregjet financiarë për të marrë hua.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.