Fondi për bujqësinë prej 153 mln lekë për 2017, sektorët që përfitojnë
Qeveria ka miratuar fondin e programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2017. Nga ky fond do të përdoret shuma 153 milionë lekë për bashkëfinancim me projektet IPA.
Sipas vendimit fondi i miratuar për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral dhe të agropërpunimit, do të përdoret për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve, përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve, prodhimin e perimeve në ambiente të mbrojtura, mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës, furnizimin e qëndrueshëm të tregut, nxitjen e investimeve në sektorin e përpunimit të produkteve, si dhe nxitjen e formalizimit.
Mbështetje për përmirësimin e teknologjisë së kultivimit e të mbrojtjes së bimëve, si:
-Përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes së vreshtave me fidanë të kultivarëve autoktonë, në vlerën 600 000 lekë/ha dhe me fidanë të kultivarëve të tjerë, në vlerën 500 000 lekë/ha;
-Përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes së mollëve, dardhëve, kumbullave, qershive, pjeshkëve, nektarinave, fiqve, ftonjve, shegëve, kivit, manit, mjedrës, luleshtrydhes dhe agrumeve, në vlerën 200 000 lekë/ha;
-Përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes së arrave, lajthive dhe bajameve, në vlerën 200 000 lekë/ha për format intensive të kultivimit;
-Përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes dhe kultivimit të bimëve medicinale e aromatike, të kultivuara, si: lavanda, timus, rigon, rozmarinë, etj, në vlerën 250 000 lekë/ha. Për fermat organike certifikuar, në vlerën 200 000 lekë.
-Përmirësimi i teknikave të ujitjes nëpërmjet instalimit të ujitjes me pika në ullishte, vreshta, pemëtore, agrume, arrore dhe shegë, kundrejt faturës tatimore, por jo më shumë se 250 000 lekë/ha, por financimi të bëhet për jo më pak se 0,5 ha dhe jo më shumë se 5 ha;
-Mbrojtja e ullishteve nga dëmtimi i mizës së ullirit në bllok dhe sipas zonave prioritare të prodhimit, me fond limit jo më shumë 35 000 lekë/ha, përfshirë TVSH-në, si dhe zëvendësimi i plastmasit për serrat, në vlerën 1 700 000/ha, me TVSH.
Të gjithë fermerët të cilët merren me mbarështimin e blegtorisë do të përfitojnë nga ky fond në vlerën 1 200 lekë/krerë dele ose dhi, për fermat të cilat mbarështojnë jo më pak se 50 krerë, por financimi të bëhet për jo më shumë se 200 krerë. Për 100 krerët e para, masa e financimit deri në 100%, ndërsa duke filluar nga 101 deri 200, masa e financimit deri në 50%.
Mbështetja do të ketë edhe për për fermerët me jo më pak se 50 koshere, dhe jo më shumë se 200 koshere bletë. Për 100 kosheret e para, masa e financimit deri në 100%, ndërsa për 101-200 koshere, masa e financimit deri në 50%.
Mbështetja e sektorit të akuakulturës, në masën 25% të vlerës së rasatit, por jo më shumë se 200 000 lekë/fermë dhe 25% të vlerës së ushqimeve për peshkun nën kultivim, por jo më shumë se 100 000 lekë/fermë, vërtetuar me faturë tatimore.
Mbështetje për dorëzimin e prodhimit të frutave e të perimeve në pikat e grumbullimit ose përpunimit, në masën 15% të vlerës së mallit të shitur, të vërtetuar me faturë tatimore, përfshirë vlerën e tatimit.
Nga fondi do të përfitojnë edhe fermerët që mbarështojnë lopë qumështi të matrikulluara, si dhe në mënyrë ekstensive (regjim gjysmëstallor), për dorëzimin e prodhimit të midhjeve në qendrat e grumbullimit dhe/përpunimit.
Nxitja e investimeve në sektorin bujqësisë, blegtorisë, shpendëve, bletarisë, akuakulturës dhe bimëve medicinale, si:
Mbështetja e investimeve deri në 50% të vlerës së projektit, kundrejt faturës tatimore, përfshirë vlerën e tatimit, por jo më shumë se 20 000 000 lekë për një subjekt, për ngritjen dhe/ose rikonstruksionin e ambienteve për produktet bujqësore e blegtorale, të peshkimit, shpendëve dhe bimëve medicinale, për makineritë dhe pajisjet, si dhe ndërtimin e serave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.