“Forca e Ligjit” dhe jashtë – Çako: Luftë pa kompromis, ARRSH: Projekt për pikat e zeza
Operacioni i policisë “Forca e Ligjit” do të shtrihet brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjatë një deklarate për mediat drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako u shpreh se do të vazhdojë lufta pa kompromis ndaj çdo veprimtarie kriminale.
“Në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj me të gjithë partnerët tanë strategjikë, luftë pa kompromis ndaj çdo veprimtarie kriminale dhe sidomos ndaj organizatave të strukturuara kriminale”, tha Çako.
Ndërkohë Çako u ndal edhe te siguria rrugore duke thënë se Policia në bashkëpunim me Entin Rrugor Shqiptar është duke intensifikuar punën për të rritur në kapacitete maksimale sigurinë e qytetarëve duke rritur sinjalistikën dhe gjithë masat e tjera.
“Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me entin pronar të rrugëve, por dhe me të gjitha institucionet e tjera është duke intensifikuar punën për të rritur në kapacitetet maksimale sigurinë e qytetarëve duke rritur sinjalistikën dhe të gjitha masat e tjera, të cilat përcjellin informacionin e nevojshëm për të rregulluar dhe respektuar normat rrugore. Gjithashtu, policia është duke intensifikuar shumë punën lidhur me rritjen e aftësisë të kontrollit e monitorimit të drejtuesve të automjeteve, por edhe duke sensibizuar nëpërmjet shkollave dhe institucioneve të tjera”, tha Çako.
Kreu i ARRSH bëri të ditur se ka një projekt i veçantë për pikat e zeza, pra, nivelin më të lartë të aksidenteve, dhe ky projekt i është dhënë kompanive të mirëmbajtjes për të bërë të mundur shmangien e aksidenteve .
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.