“Forca e Ligjit në veprim”, Rama: Në fund të mandatit, Policia e Shtetit brenda parametrave të BE
Në fund të mandatit qeveritar Policia e Shtetit do të jetë një polici e standardeve mesatare të Bashkimit Europian. Kryeministri Edi Rama duke bërë një retrospektivë të policisë së para katër viteve, deklaroi se e ardhmja duhet parë e sigurt, sepse çdo që është premtuar në fillim të mandatit, do të realizohet deri në fund.
“Është me rëndësi të mos harrohet se sa herë që diskutohet për krimin e organizuar, për paprekshmërinë dhe ndëshkueshmërinë, se bëhet fjalë për një problematika komplekse dhe te lidhur me institucione ndërvepruese. Deri katër vjet më parë policia e shtetit ishte institucioni me nivelin më të ulët të besueshmërisë në publik, më e diskredituar. Sot ka një tjetër qëndrim. Policia e shtetit është përgjegjëse për të garantuar prekshmërinë e kujtdo qoftë. Ndërsa gjykatat janë përgjegjëse për të garantuar prekshmërinë e kujtdo qoftë. Katër vite me parë semaforët ishin të kuq për njerëzit e zakonshëm, ndërsa për të pushtetshmit ishin gjithmonë jeshil. Para katër vitesh çdo funksionar parkonte në çdo trotuar dhe kalonte çdo semafor.
Katër vite me parë raporti me ligjin i individëve kalonte përmes përkatësisë së tyre politike, përmes shkallës shoqërore, statusit të pasurisë. Operacionet e policisë së shtetit katër vite më parë, tradhtoheshin nga kupola e ministrisë së brendshme. Edhe kriminelët e merrnin vesh më parë se do të kishte një operacion kundër tyre, më parë se drejtorët e policisë. Katër vite më parë komunikatat e policisë së shtetit ishin sekret për publikun dhe median. Të gjitha këto i përkasin të shkuarës. Nuk është pak të shohim të nesërmen përmes kësaj të shkuare të afërt. Të shohim të ardhme të sigurt, çfarë kemi thënë ne fillim të mandatit për policinë e shtetit, do ta realizojmë në fund. Nga policia më e dobët e rajonit, më e keqpaguara dhe keqarsimuara, do te jete një polici e standardeve mesatare të Bashkimit Europian.”
Deklaratat u bënë gjatë aktivitetit të Policisë së Shtetit “Forca e Ligjit në Veprim: Arritje dhe Sfida”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.