Forcimi i Lekut – BSH analizon faktorët që ndikuan
Monedha vendase, Leku, është forcuar gjatë tremujorit të dytë të vitit, madje me ritëm më të përshpejtuar në muajt maj dhe qershor. Sipas vlerësimit të bankës së Shqipërisë, në terma nominalë efektivë, mbiçmimi vjetor i lekut shënoi vlerën 4.6% në këtë tremujor, duke u thelluar nga vlerat 3.5% dhe 3.2%, që shënonte përkatësisht në tremujorin e parë të vitit dhe në vitin 2016.
Kjo ecuri ka reflektuar mbiçmimin më të fortë të lekut kundrejt euros gjatë kësaj periudhe, në një kohë që ai ka vijuar të forcohet me ritme të njëjta kundrejt monedhave të tjera të shportës.
Në terma realë vjetorë, leku është mbiçmuar me mesatarisht 4.4% në këtë tremujor, nga 4.0% një tremujor më parë. Mbiçmimi më i vogël real kundrejt atij nominal në këtë tremujor ka reflektuar diferencën negative të inflacionit në vend me atë mesatar të vendeve partnere.
Sipas raportit të BSH, kursi nominal efektiv i këmbimit (KNEK/NEER) llogaritet kundrejt monedhave të pesë partnerëve tregtarë kryesorë (Itali, Greqi, Gjermani, Turqi dhe Kinë), duke përdorur peshat përkatëse në tregti. Norma e inflacionit në vend ka qenë më e ulët se inflacioni mesatar në vendet partnere në këtë tremujor.
Forcimi i monedhës vendase ka pasqyruar së fundi përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe ngushtimin e deficitit të llogarisë korrente dhe bashkë me të edhe rritjen e flukseve hyrëse neto të llogarisë kapitale e financiare.
Kjo e fundit është ndikuar nga vazhdimi i hyrjeve të larta të investimeve të huaja direkte, të cilat kanë qenë më shumë se të mjaftueshme për të mbuluar deficitin e llogarisë korrente.
Për rrjedhojë, hyrjet e valutës në ekonomi kanë qenë ndjeshëm më të larta se daljet, dhe një pjesë e tyre është përkthyer si tepricë oferte valutore në treg. Forcimi i lekut kundrejt monedhës evropiane ka qenë më i pranishëm në muajt maj dhe qershor.
Kursi i këmbimit u shfaq i qëndrueshëm në periudhën shkurt-prill, rreth vlerës 135.5 lekë/euro, por ra në 134.6 lekë/euro në muajin maj dhe, më tej, në 133.2 lekë/euro në muajin qershor.
Mbiçmimi i monedhës vendase kundrejt euros nuk është fenomen vetëm në Shqipëri. Gjatë vitit 2017, të gjitha vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që zbatojnë regjim të lirë të kursit të këmbimit, me përjashtim të Rumanisë, po shohin mbiçmim të monedhave të tyre.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.