Formalizimi i lidhjeve të ujit – Zv.ministri Bonati: Mbi 20 mijë kontrata të reja
Mbi 20 mijë kontrata të reja uji janë formalizuar në vetëm pak muaj që nga nisja e aksionit për ujin e pijshëm. Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, gjatë një konference në Kuadër të Ditës Botërore të ujit në bashkëpunim me GIZ të zhvilluar në Durrës.
Duke e cilësuar këtë si një shifër domethënëse të arritur në një periudhë kaq të shkurtër, falënderoi qytetarët për përgjigjen pozitive që i kanë dhënë deri më tani aksionit për rikthimin e ligjshmërisë me ujë të pijshëm.
“Gjej rastin të falenderoj të gjithë ata konsumatorë që janë përgjigjur thirrjeve për të formalizuar lidhjet e tyre sikurse përgëzoj punën e deritanishme të ndërmarrjeve të ujësjellës/kanalizimeve në pjesën më të madhe të bashkive. Kemi një rezultat që janë mbi 20 mijë kontrata të reja të formalizuara çka në kontekstin e përgjithshëm është një shifër shumë domethënëse”, u shpreh Bonati.
Pjesëmarrësit vunë theksin te nevoja për forcimin e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit midis institucioneve që punojnë në sektorin e ujit me qëllim përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë si dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjen e palëve të interesuara për t’u përballur me sfidat e sektorit.
Sipas Bonantit, ky sektor mund të ndryshojë shumë shpejt nëse të gjithë bëjnë detyrat dhe konsumatorët bëjnë pagesat e tyre.
“Mesazhi që do të doja të përcillja në këtë ditë është se nëse të gjithë bashkërisht bëjmë detyrat tona, fytyra e këtij sektori mund të ndryshojë shumë shpejt. Qeverisja qendrore dhe qeverisja lokale përgatisin një paketë të plotë dhe në mbështetje të standardeve evropiane, të ketë një financim më të madh me investime dhe mirëmenaxhim. Nga ana tjetër, konsumatorët të bëjnë pagesat e tyre sikurse parashikohet me ligj pasi në fund fare kontributet e tyre përkthehen në investime”, shtoi më tej Bonati.
Furnizimi me ujë është edhe një nga prioritetet thelbësore në këtë mandat qeverisës.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.