Formimi i qeverisë gjermane – SPD vendos të hyjë në bisedime për koalicion
Social-Demokratët në Gjermani (SPD) janë të gatshëm për të nisur bisedime me partitë e tjera për të nxjerrë vendin nga ngërçi politik, të krijuar nga dështimi i Kancelares Angela Merkel për të formuar qeverinë.
Vendimi i Partisë Social-Demokrate, që ka deklaruar më parë se do të shkonte në opozitë pasi mori rezultatin më të keq në dekada gjatë Shtatorit, redukton shanset e zhvillimit të zgjedhjeve të reja, gjë që do të shkaktonte pasiguri politike për të gjithë Europën.
“Social-Demokratët nuk do ti thonë jo diskutimeve”, tha sekretari i përgjithshëm i partisë, Hubertus Heil. Megjithatë, ai nuk dha detaje, se me cilat parti do të negociojë, nëse do të pranojë apo jo për koalicion apo nëse thjeshtë do të ofrojë mbështetje parlamentare ndaj qeverisë minoritare të Merkel.
Partia Social-Demokrate ka qenë nën presion për të formuar një koalicion të ri me Kristian-Demokratët e Merkel dhe aleatët bavarezë të Unionit Krisitan-Social, pas zgjedhjeve të Shtatorit. Martin Schulz ka thënë se partia e tij duhet t’i japë vëmendje votuesve duke shkuar në opozitë.
Merkel po përballet me krizën më të madhe politike të karrierës së saj, ndërkohë që përpjekjet për të formuar një koalicion me Demokratët e Lirë dhe të Gjelbrit dështuan në fundjavën e kaluar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.